Nga “300 apartamentet” te jahtet me shumicë/ Anatomia e një trillimi politik që bashkoi opozitën

Përpjekjet e katër partive opozitare për të organizuar protesta kundër qeverisë kanë dështuar në bashkimin organik të tyre, por kanë prodhuar një fenomen interesant: figurat e reja si Shehaj, Lapaj dhe Qori janë bashkuar verbërisht rreth narrativës së Sali Berishës sa i përket akuzave ndaj Zv/Kryeministres Belinda Balluku.

Kjo “stuhi në gotë”, e ndërtuar mbi akuza që nuk ekzistojnë në asnjë dosje hetimore, po shërben si pasqyrë e mungesës së seriozitetit në aksionin opozitar, ku faktet zëvendësohen me trillime urbane.

Miti i “300 apartamenteve” dhe realiteti i SPAK

Akuza më e zhurmshme, ajo e “300 apartamenteve”, është një shifër që qarkullon vetëm në studiot televizive dhe statuset e Facebook-ut, por që nuk figuron në asnjë dokument zyrtar apo dosje të SPAK.

Në materialet zyrtare hetimore ndaj Ballukut nuk ka akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash apo fshehje pasurie. E vetmja çështje në diskutim është një debat procedural mbi “pabarazi në tendera”.

Paradoksi bëhet edhe më i thellë kur faktet në terren, të bëra publike padashje edhe nga vetë akuzuesit si Gazment Bardhi, tregojnë se Balluku jeton në një apartament të zakonshëm në katin e dytë të një pallati, ku banojnë edhe shumë politikanë të tjerë, përfshirë demokratë. Pyetja logjike që rrëzon akuzën është e thjeshtë: Pse një pronare e 300 apartamenteve do të jetonte në katin e dytë, dhe jo në ndonjë vilë luksoze siç e kanë zakon politikanët e pasur?

Logjika “satirike” e jahteve

Trillimi ka arritur kulmin me historinë e jahteve. Pas lajmit për jahtin 1 milion euro të kapur nën emrin e një shtetaseje rumune (lidhur me Ergys Agasin), opozita ka aplikuar një “rregull treshi” pa asnjë bazë: nëse Agasi ka një, Balluku duhet të ketë dy.

Kjo logjikë, që më shumë i ngjan satirës sesa denoncimit politik, injoron faktin se nuk ka asnjë provë për këtë pretendim. Është një strategji e “gjuajtjes me baltë”, ku shpresohet se duke e shumëzuar imagjinatën, diçka do të mbesë në mendjen e publikut.

Gjeneza e sulmit: Faktori “Bardhi”

Analiza sugjeron se arkitekti i kësaj narrative është Gazment Bardhi, i cili duket se e ka kthyer sulmin ndaj Ballukut në një çështje personale pas humbjes së thellë politike në qarkun e Fierit. Që prej atij momenti, çdo akuzë duket si një hakmarrje politike e paketuar si moral publik.

Nga “50 milionët e Llogarasë” që nuk u vërtetuan kurrë, te epiteti “palloshi i gjatë” që nuk ekziston në asnjë përgjim të SPAK, opozita po ndërton një realitet paralel. Rreziku i kësaj strategjie nuk është dëmi ndaj qeverisë, por humbja e besueshmërisë së atyre që pretendojnë të jenë alternativa qeverisëse, duke u shfaqur të papërgjegjshëm për fjalën publike.

Avatar photo
Albin Hoxha
23 December, 11:37 | Përditësimi: 23 December, 11:37