Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër pas vendimit të Sekretariatit të Etikës, i cili vendosi përjashtimin e tij dhe të pesë kolegëve të tjerë për një periudhë 30-ditore nga punimet e Kuvendit. Në një prononcim për mediat, Noka deklaroi se grupi parlamentar i opozitës nuk e njeh këtë vendim, duke e cilësuar atë si të paracaktuar politikisht.
Akuzat ndaj mazhorancës
Noka pretendoi se vendimmarrja në organet e Kuvendit është e diktuar nga urdhra partiakë dhe jo nga rregullorja parlamentare.
“Ne zbatojmë ligjin dhe Kushtetutën, por masat dhe propozimet e ‘Gysit’ ne nuk i njohim,” u shpreh Noka, duke iu referuar zyrtarëve të mazhorancës. Ai theksoi se aksioni opozitar do të vijojë me qëllimin final për krijimin e një qeverie teknike.
Vendimi i Sekretariatit
Masat disiplinore erdhën pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila kërkoi fillimisht ndëshkimin e 29 deputetëve për shkak të tensioneve dhe kaosit të krijuar në seancën e fundit plenare.
Pas shqyrtimit, Sekretariati i Etikës vendosi masën e përjashtimit për 30 ditë për gjashtë deputetë:
-
Flamur Noka
-
Albana Vokshi
-
Belind Këlliçi
-
Klevis Balliu
-
Elda Hoti
-
Fidel Kreka
Për deputetët e tjerë të përfshirë në kërkesën e mazhorancës, Komisioni vendosi masën më të lehtë, atë të tërheqjes së vëmendjes.
