
Prej 13 ditësh radhazi, minatorët e Spaçit vijojnë protestën e tyre të gjatë, duke qëndruar të vendosur nën shi, mjegull dhe kushte të vështira atmosferike, përballë heshtjes totale të kompanisë që menaxhon minierën.
Që në orët e para të mëngjesit, punëtorët janë grumbulluar në hyrje të minierës, duke kërkuar që drejtuesit të marrin parasysh kërkesat e tyre për të drejta dhe siguri në punë.
Një nga pikat kryesore të protestës është njohja e sindikatës së krijuar në gusht dhe nënshkrimi i kontratës kolektive të punës, që sipas minatorëve do të garantonte kushte më dinjitoze dhe mbrojtje ligjore për ta.
Megjithëse ditët kalojnë dhe situata bëhet gjithnjë e më e rëndë, asnjë përfaqësues i kompanisë nuk është paraqitur në vendin e protestës për të dialoguar me punëtorët.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë përveç drejtësisë dhe respektit për punën tonë. Do të qëndrojmë këtu derisa të na dëgjojnë”, – shprehen minatorët.
Protesta në Spaç është kthyer tashmë në një simbol të rezistencës punëtore, ndërsa qytetarë dhe aktivistë kanë shprehur solidaritet me minatorët, duke kritikuar heshtjen e autoriteteve dhe mungesën e ndërhyrjes institucionale.
Ndërkohë, situata mbetet e pandryshuar dhe tensioni po rritet çdo ditë, teksa punëtorët paralajmërojnë se do të ashpërsojnë protestën nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen.