Qeveria vendos tarifa për e-Albania: Bizneset dhe qytetarët do të paguajnë për disa shërbime online

Këshilli i Ministrave ka vendosur që një pjesë e shërbimeve në portalin qeveritar “e-Albania” do të jenë me pagesë, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas vendimit, tarifat do të zbatohen për shërbime që lidhen me dokumentet me nënshkrim elektronik, vulën elektronike, çertifikatat elektronike për fiskalizimin, si dhe transaksione në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).

Qeveria sqaron se të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga këto tarifa do të derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

Dokumentet e përmendura do të jenë me pagesë për bizneset, ndërsa për qytetarët shqiptarë dhe të huaj tarifa për dokumentet me nënshkrim elektronik do të jetë 2 mijë lekë në vit.

Pagesat do të kryhen elektronikisht përmes vetë portalit “e-Albania”, në momentin e marrjes së shërbimit.

Ky vendim vjen në kuadër të riorganizimit të platformës digjitale dhe synon të përmirësojë shërbimet elektronike, duke garantuar mbulimin financiar të mirëmbajtjes së sistemit.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
16 Tetor, 08:00 | Përditësimi: 16 Tetor, 08:00