PS propozon ashpërsim të Kodit Rrugor, deri në heqje përgjithmonë të patentës për drejtuesit në gjendje të dehur

Partia Socialiste ka depozituar amendamente të reja në Kuvend për ndryshime në Kodin Rrugor, duke parashikuar masa më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit, sidomos për drejtimin pa patentë, përdorimin e telefonit gjatë ecjes me mjete dhe drejtimin në gjendje të dehur.

Sipas amendamenteve, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, përveç përgjegjësisë penale, do t’u shtyhet me 1 vit e drejta për t’u pajisur me patentë. Për të miturit, kjo periudhë do të jetë 2 vite nga momenti kur u lind e drejta ligjore për të marrë patentën.

Një tjetër ndryshim prek drejtuesit e rinj që kanë marrë patentën e kategorisë “B” brenda 24 muajve të fundit. Për ta parashikohen kufizime të posaçme, si:

tolerancë zero për alkoolin;
kufi maksimal 90 km/orë në autostrada dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara;
ndalim qarkullimi nga ora 24:00 deri në 06:00 pa një shoqërues me të paktën 3 vite eksperiencë drejtimi.
Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim patente për 1 muaj dhe heqje pikësh.

Amendamentet parashikojnë gjithashtu masa më të forta ndaj sjelljeve agresive në rrugë, duke përfshirë manovrat e rrezikshme, ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim dhe sjelljet antisociale gjatë drejtimit.

Rritje parashikohet edhe për gjobat, ku në disa raste masa administrative shkon deri në 60 mijë lekë.

Ndryshime të rëndësishme janë propozuar edhe për përdorimin e telefonit celular. Ndalohet përdorimi i telefonit të mbajtur në dorë jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për përdoruesit e biçikletave, monopatinave elektrike dhe motomjeteve deri në 50 cc.

Po ashtu, drejtuesit që janë të detyruar të përdorin syze optike ose pajisje ndihmëse sipas kushteve të patentës, do të duhet t’i mbajnë detyrimisht gjatë drejtimit të mjetit.

Një nga masat më të forta të propozuara lidhet me drejtimin në gjendje të dehur. Sipas amendamentit të ri, nëse një drejtues kapet sërish me nivel alkooli mbi normën e lejuar dhe rezulton i ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do t’i hiqet patenta përgjithmonë.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
8 May, 16:03 | Përditësimi: 8 May, 16:03