Është rrethuar kantieri për zbatimin e projektit të ri të tregut të fruta-perimeve në Vlorë, investim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 115 milionë lekë.
Punimet për projektin kanë nisur, por tregtarët vijojnë të kundërshtojnë largimin nga hapësira aktuale. Sipas tyre, vendet e përcaktuara nga Bashkia për zhvendosjen janë të papërshtatshme për shkak të distancës dhe ndikimit që do të ketë në aktivitetin tregtar.
Që prej muajit janar, tregtarët kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar që t’u vihet në dispozicion një hapësirë brenda qytetit. Nga ana tjetër, Bashkia ka vendosur që një pjesë e tyre të sistemohen pranë tregut të Çoles, ndërsa pjesa tjetër pranë tregut të shumicës.
Vendimi është kundërshtuar nga tregtarët, ndërsa këtë të premte forcat e policisë bashkiake kanë ndaluar hyrjen e tyre në ambientet e tregut. Sipas Bashkisë, hapësira do t’i dorëzohet firmës zbatuese për nisjen e investimit.
