Kapet sasia rekord e kokaines në Europë, sekuestrohen 30 tonë drogë me vlerë 812 milionë euro

Screenshot

Policia spanjolle ka sekuestruar 30 tonë kokainë nga një anije pranë Ishujve Kanarie, në atë që konsiderohet si një nga operacionet më të mëdha antidrogë të realizuara ndonjëherë në Europë.

Sipas Gjykatës së Lartë të Spanjës, janë arrestuar 23 anëtarë të ekuipazhit të anijes “Arconian”, e cila lundronte me flamurin e Ishujve Komore. Anija u ndalua nga forcat e Guardia Civil më 1 maj.

Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se vlera e ngarkesës së sekuestruar arrin mbi 812 milionë euro.

Sasia prej 30 tonësh tejkalon rekordin e mëparshëm europian prej 25 tonësh kokainë, të zbuluar nga policia gjermane në portin e Hamburgut në qershor të vitit 2024.

Po ashtu, kjo sasi është më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm në Spanjë, ku vitin e kaluar u sekuestruan 13 tonë kokainë të fshehura në një ngarkesë me banane nga Ekuadori në portin e Algeciras.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
8 May, 16:19 | Përditësimi: 8 May, 16:19