Për ngjarjen e rëndë në Sarandë, ku mbeti i vrarë biznesmeni 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ka reaguar edhe deputeti socialist i zonës, Ardit Bido, i cili e cilësoi ngjarjen një humbje të madhe për komunitetin dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të zbardhin sa më shpejt autorët dhe rrethanat e krimit.
Nderkohe detaje të reja janë zbardhur nga atentati mafioz i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Sarandë, ku viktima është ekzekutuar në ambientet e biznesit të tij, një pikë karburanti në pronësi të Ismailit.
Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar ka shkuar i armatosur dhe ka hapur zjarr ndaj 66-vjeçarit ndërsa ai ndodhej ulur në një tavolinë me persona të tjerë. Një plumb në kokë ka rezultuar fatal, duke i marrë jetën menjëherë.
Pas të shtënave, situata është përshkallëzuar në shkëmbim zjarri. Persona të pranishëm në lokal kanë përdorur një armë automatike dhe kanë qëlluar me breshëri ndaj autorit në momentin që ai po largohej. Megjithatë, autori ka arritur të arratiset nga vendngjarja.
Policia po vijon hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit, si dhe për kapjen e autorit kryesor, ndërsa pista kryesore mbetet një konflikt i mëparshëm mes tij dhe viktimës.
