Kultivuesit e ullinjve në fshatrat e Mallakastrës po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi sasi të konsiderueshme të vajit të ullirit kanë mbetur pa u shitur.
Banorët e zonës thonë se, ndonëse ullinjtë e Mallakastrës njihen për traditën shekullore dhe cilësinë e lartë të vajit, mungesa e tregut dhe e pikave të grumbullimit po i çon drejt falimentimit.
Sipas tyre, prodhimi këtë vit ka qenë i bollshëm, por mungesa e mbështetjes për tregtimin dhe eksportin ka bërë që shumë fermerë të detyrohen ta shesin vajin nën kosto.
Kultivuesit kërkojnë ndërhyrje nga shteti për krijimin e një marke të certifikuar për vajin e ullirit të Mallakastrës, si dhe ngritjen e pikave të grumbullimit që do të ndihmonin në hapjen e tregjeve të eksportit.
Ata theksojnë se kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm, duke nisur nga mirëmbajtja e ullishteve deri te përpunimi në fabrikë, ndërsa fitimet janë minimale ose inekzistente.
Të zhgënjyer nga situata, shumë prej kultivuesve paralajmërojnë se mund të heqin dorë nga kultivimi i ullinjve, pasi prej vitesh po punojnë me humbje.
