Një rast shantazhi me materiale intime është goditur nga policia, pas kallëzimit të një 38-vjeçareje.
Sipas njoftimit, dy shtetas e kishin kanosur atë për t’u dhënë shumën prej 500 eurosh, në mënyrë që të mos publikonin në rrjete sociale foto dhe video intime të saj.
Menjëherë pas denoncimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Privacy”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë një 17-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi E. D., 21 vjeç.
Gjatë operacionit u sekuestruan 500 euro, si dhe dy telefona celularë që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
