Marklen Haka, i cilësuar si një nga personat me ndikim në zonën e Niklës, do të përballet me gjykim të zakonshëm dhe jo me procedurë të shkurtuar.
Vendimi u mor këtë të mërkurë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), e cila vendosi gjithashtu ndarjen e dosjes së tij nga ajo e të pandehurve të tjerë në këtë çështje.
Ndërkohë, për disa prej të akuzuarve të tjerë, gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Bëhet fjalë për Aldo Avdylin, Edson Jozëik, Henerigert Mitrin (ish-drejtor i Policisë Lezhë), Altin Morinën (ish-shef i stërvitjes në RENEA), Jozi Krajën dhe Durim Bamin.
SPAK pritet që më 20 maj të shpallë pretencën për këta 6 të pandehur që kanë zgjedhur këtë procedurë gjykimi.
Hetimet, të mbështetura edhe në zbardhjen e komunikimeve në platformën SKY ECC, kanë nxjerrë në pah disa grupe kriminale të dyshuara për përfshirje në kultivim narkotikësh, sigurim kushtesh për atentate dhe aktivitete të tjera kriminale, në disa raste në bashkëpunim me elementë të strukturave shtetërore.
Në total, janë lëshuar rreth 50 urdhër-arreste nga SPAK, ndërsa çështja është ndarë në disa fraksione. Për një prej tyre, pak ditë më parë, SPAK ka kërkuar në total 127.6 vite burg për disa emra të njohur të botës së krimit, mes tyre Emiljano Shullazi, Gjergji Cukali, Astrit Avdyli, Xhelal Rraja dhe Viktor Imeraj.
