Autoriteti Rrugor Shqiptar do të vijojë investimet në rrugën Kombinat – Ndroq – Plepa, duke planifikuar hapjen e dy procedurave të reja prokurimi për lotin 2 dhe lotin 3 të këtij aksi.
Sipas informacionit të publikuar, për lotin 2 është parashikuar një fond limit prej rreth 1.13 miliardë lekësh, ndërsa për lotin 3 rreth 1.46 miliardë lekë. Në total, vlera e investimit për këto dy segmente shkon afërsisht në 3 miliardë lekë. Tenderët pritet të shpallen gjatë këtij viti, ndërsa specifikat teknike dhe gjatësia e secilit lot do të bëhen të ditura në vijim.
Sa i përket lotit të parë, kontrata për zbatimin e punimeve është nënshkruar në shtator 2024, me kompanitë “Arifaj” dhe “Eurokos Holding” që kanë marrë përsipër realizimin e projektit për një vlerë prej 567.75 milionë lekësh pa TVSH.
Ky aks rrugor ka një rol të rëndësishëm në lidhjen e Tiranës me zonat jugore të vendit dhe shërben si alternativë ndaj autostradës Tiranë – Durrës. Për shkak të amortizimit ndër vite dhe densitetit të lartë të banimit përgjatë tij, ndërhyrja konsiderohet e domosdoshme për të përmirësuar qarkullimin dhe sigurinë rrugore.
Projekti për rikonstruksionin e rrugës zhvillohet paralelisht me zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, ndërsa i gjithë aksi Kombinat – Ndroq – Plepa ka një gjatësi prej rreth 28 kilometrash.
