Trafiku në Fier jashtë kontrollit

Screenshot

Qyteti i Fierit po përballet me një situatë problematike në qarkullimin rrugor, ku mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, si dhe reduktimi i hapësirave të parkimit, kanë krijuar vështirësi serioze për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.

Sipas një vëzhgimi në terren, një nga pikat më problematike mbetet qendra e qytetit, ku fluksi i automjeteve është shumë i lartë. Pedonalja funksionon me një sens kalimi dhe mungesa e vendeve të parkimit ka çuar shpesh në vendosjen e gjobave për drejtuesit.

Situatë e ngarkuar paraqitet edhe te semafori i vetëm në qytet, ku mungon sinkronizimi i lëvizjes mes mjeteve dhe këmbësorëve. Në disa raste, e drejta e kalimit jepet njëkohësisht për të dyja palët, duke krijuar konfuzion dhe rrezik për aksidente.

Problematike mbetet edhe mungesa e vijëzimeve të bardha në shumë rrugë, çka e bën të vështirë lëvizjen e këmbësorëve. Ndërkohë, në disa kryqëzime kryesore, si ai i “Zogut të Zi”, kryqëzimi i Grecallisë (rruga “Mujo Ulqinaku”) dhe kryqëzimi pranë rrugës “Skënderbeu” drejt Spitalit Memorial, qarkullimi zhvillohet shpesh në mënyrë të çrregullt, me drejtues mjetesh që nuk respektojnë rregullat.

Një tjetër problem madhor mbetet parkimi, veçanërisht në lagje si “Konferenca e Pezës”, ku mungesa e hapësirave ka sjellë kaos dhe konflikte mes banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që nuk janë rezidentë në zonë.

Në këto kushte, kërkohet ndërhyrje nga institucionet vendore për hartimin e një studimi të mirëfilltë të trafikut, përmirësimin e sinjalistikës dhe shtimin e hapësirave të parkimit, në mënyrë që të normalizohet qarkullimi në qytet.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
9 April, 15:27 | Përditësimi: 9 April, 15:27