Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në aksin Fier-Patos, në afërsi të fshatit Mbyet.
Sipas informacioneve paraprake, dy mjetet e tipit “Volkswagen” janë përplasur duke bërë që 2 drejtuesit dhe 3 pasagjerë të mbeten të lënduar. Ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se një nga shkaqet e ngjarjes mund të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara.
