Kuvendi shpenzoi 200 mln lekë për përfitimet e deputetëve në 2025, 44.2% e shpenzimeve operative
Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar analizën e zbatimit të buxhetit për vitin 2025, ku rezulton se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve operative është dedikuar për përfitimet financiare të deputetëve.
Sipas raportit, rreth 200 milionë lekë, ose 44.2% e totalit të shpenzimeve operative, janë përdorur për përfitime që burojnë nga “Statusi i Deputetit”. Këto përfshijnë rimbursime për telefon, karburant, dieta brenda vendit, honorare për pjesëmarrje në komisione parlamentare dhe mbulimin e qirasë për deputetët që nuk banojnë në Tiranë.
Ndërkohë, 60 milionë lekë janë shpenzuar për udhëtime jashtë shtetit, duke përfshirë bileta, dieta dhe akomodim, një zë që Kuvendi e cilëson si “të konsiderueshëm” në kuadër të shpenzimeve operative.
Buxheti i institucionit është ndarë në dy programe kryesore: atë të veprimtarisë legjislative dhe një program mbështetës për administrimin. Programi legjislativ zë peshën më të madhe dhe përfshin pagat, kontributet, përfitimet e deputetëve, si dhe shpenzimet për aktivitete ndërkombëtare dhe ekspertizë të jashtme.
Pagat dhe kontributet shoqërore arrijnë në rreth 1.2 miliardë lekë, ndërsa përbërja e stafit ndahet në: 32% deputetë, 14% staf politik, 44% nëpunës civilë dhe 10% punonjës mbështetës.
Në kategorinë e shpenzimeve operative përfshihen gjithashtu:
11 milionë lekë për ekspertë të jashtëm
16 milionë lekë për ekzekutime vendimesh gjyqësore dhe mirëmbajtje sistemesh
49 milionë lekë për shpenzime të ndryshme operative
14 milionë lekë për mirëmbajtje zyrash
28 milionë lekë për ujë, energji, transport dhe kancelari
Gjatë vitit 2025, Kuvendi ka realizuar edhe investime në teknologji, ku veçohen:
30 milionë lekë për transkriptim audio-video me inteligjencë artificiale
5.6 milionë lekë për sistem ndërveprimi me publikun
1.2 milionë lekë për aplikacionin “Kuvendi i Shqipërisë”
Po ashtu, janë blerë dy automjete me vlerë 14.5 milionë lekë dhe janë investuar 23 milionë lekë për pajisje dhe arredim zyrash.
