Qeveria shqiptare ka shpallur situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve, pas përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të saj në çmimet e karburanteve edhe në vendin tonë.
Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave më 19 mars 2026 dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa parashikon se gjatë periudhës së situatës së veçantë do të aktivizohet Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve për tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.
Sikurse edhe në rastin e krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ky mekanizëm do të ketë kompetencën për të përcaktuar çmimet për operatorët në treg, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilizimin e tregut.
“Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit në vend”, – thuhet në vendim.
Po ashtu, subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor detyrohen të njoftojnë pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë përfaqësuesit e tyre në bord brenda datës 24 mars, çka sugjeron se Bordi do të jetë efektiv pas kësaj date.
Në ditët e fundit nafta në vendin tonë është tregtuar me rreth 214 lekë/ litër, nga 175 lekë/litër që ishte përpara nisjes së krizës. Ndërkaq, përveç Bordit të Transparencës, që më së shumti mban nën kontroll fitimet e kompanive të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, qeveria ka deklaruar se do të ulë me 20% nivelin e akcizës, që ndikon në uljen me 8 lekë/litër të çmimit. Megjithatë, ky vendim nuk është miratuar ende.
