Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton për tre raste të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj shtetasit J. M., 44 vjeç, banues në Fier, i cili u konstatua duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi dhe pa targa. Gjatë lëvizjes ai ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke pësuar dëmtime të lehta.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi B. H., 62 vjeç, i cili gjatë prerjes së druve me motorrsharrë në banesën e tij ka dëmtuar aksidentalisht dorën. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në aksin rrugor “Fier–Levan”, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike ka marrë flakë gjatë lëvizjes një automjet me drejtues shtetasin P. B., banues në fshatin Kreshpan. Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
