Rritet ndjeshëm numri i vjedhjeve në qarkun Fier. Gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar mbi 20 raste, 6 prej të cilave vjedhje me mashtrim – një shifër e konsiderueshme në raport me popullsinë e zonës.Të gjitha rastet janë dokumentuar nga Policia e Fierit dhe përfshijnë autorë të grupmoshave të ndryshme. Objekt i këtyre vjedhjeve kanë qenë farmaci dhe biznese të ndryshme në qytet.
Sipas avokatit Ervis Goxhaj, faktorët kryesorë që i shtyjnë personat drejt kryerjes së këtyre veprave penale lidhen me kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë. Një pjesë e autorëve rezultojnë gjithashtu përdorues të lëndëve narkotike.
Shqetësues mbetet fakti se në disa raste autorët dyshohet të kenë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e kryerjes së vjedhjes, çka rrit rrezikun për përdorim dhune dhe përbën kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
