Çështja Balluku: Ku ndahen palët dhe çfarë pritet të ndodhë?

Mbledhja e sotme e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve nuk prodhoi asnjë zhvillim të ri dhe ishte brenda pritshmërive të palëve. Me sa duket, beteja politike po zhvendoset sërish në Kuvend, ku pritet të merret një vendim përfundimtar lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestit të Belinda Balluku. Përtej tensioneve të mbledhjes së sotme, palët u ndanë qartë në interpretimin e fakteve, rrezikut penal dhe hapit që duhet të ndërmarrë Kuvendi.
SPAK: “Situata penale është rënduar”
Prokurorët e SPAK, siç raportoi sot gazeta TemA, kanë argumentuar se kërkesa për autorizim bazohet në prova të reja dhe rrethana të dala gjatë hetimit. Në diskutimet para anëtarëve të këshillit është theksuar se ka elementë që flasin për rrezik ndërhyrjeje në proces. Sipas deklarimeve të përcjella, prokurorët kanë theksuar se nëse provohen akuzat, “rreziku penal është maksimal”, ndërsa janë përmendur edhe raste të mundshme intimidimi të dëshmitarëve. Kërkesa e SPAK mbetet e qartë, duke kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin, me argumentin se vetëm kjo masë garanton integritetin e hetimit.
PD: “Mbrojtje politike për Ballukun”
Nga ana tjetër, opozita e ka konsideruar vonesën e zhvillimit të mbledhjes si një përpjekje për ta zvarritur procesin.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, pas mbledhjes do të deklaronte se “Rama urdhëroi anëtarët e PS në Këshill të bëhen mbrojtje politike për të korruptuarën Belinda Balluku. SPAK konfirmoi se situata penale ndaj Ballukut është rënduar tepër”. 
“Nëse provohen akuzat ajo rrezikon në maksimum 35 vite burg.” – shtoi më tej ai.
PD këmbënguli se Këshilli duhet t’i hapë menjëherë rrugë votimit në seancë plenare për heqjen e imunitetit, duke argumentuar se çdo vonesë krijon hapësirë për ndërhyrje politike.
PS: “Vendimi merret në seancë plenare”
Mazhoranca, përmes kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka theksuar se procedura duhet ndjekur sipas rregullores dhe se vendimmarrja finale nuk i takon këshillit, por Kuvendit në seancë plenare.
Balla, veç të tjerash, do të shprehej: “Askush nuk është i fajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës. Këshilli nuk e jep autorizimin, vendimi i takon seancës plenare.” Ai shtoi se Kuvendi ka marrë “kohën e nevojshme” për shqyrtimin e kërkesës dhe se grupet parlamentare do të paraqesin raportet e tyre përpara votimit final.

 

Ku ndahen palët?
Vija ndarëse mes palëve është e qartë: SPAK kërkon arrest me argumentin e rrezikut për hetimin, ndërsa PD e sheh çështjen si provë për seriozitetin e luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe akuzon për mbrojtje politike. Ndërkohë, nga ana tjetër, PS thekson prezumimin e pafajësisë dhe procedurën parlamentare, duke zhvendosur përgjegjësinë e vendimit në seancën plenare.

 

Çfarë pritet të ndodhë?
Hapi i radhës është përgatitja e raporteve nga palët dhe kalimi i çështjes në seancë plenare, ku do të vendoset me votë për autorizimin ose jo të arrestimit. Nëse autorizimi jepet, SPAK do të mund të kërkojë masën përkatëse në Gjykatën e Posaçme, ndërsa, nëse refuzohet siç pritrt të ndodhë, ngelet për t’u parë se sa përplasja politike do të thellohet, ndërsa çështja pritet të jetë një test i fortë për raportin mes drejtësisë së re dhe shumicës parlamentare.
Albin Hoxha
23 February, 17:44 | Përditësimi: 23 February, 17:44