Bllokimi i lëvizjes në juglindje të vendit prek dhe pikat e rëndësishme kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me të cilat ka një aktivitet të ndjeshëm tregtar sidomos me shtetin helen.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025, volumi tregtar me Greqinë (importe +eksportet) ishin 94 miliardë lekë, ose 960 milionë euro. Kjo përbën 7.6% të totalit të tregtisë.
Nga Greqia u importuan 70 miliardë lekë mallra. Ky shtet është partneri i katërt i importeve në vend, pas Italisë, Kinës dhe Turqisë, me 8% të totalit. Produktet kryesore që importohen nga Greqia janë lëndët djegëse, artikujt e veshjeve; përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave; lastika dhe artikuj prej tyre; frutat dhe arrat e ngrënshme.
Me e rëndësishme për eksportet tona është Greqia. Shteti fqinj është partneri i tretë për eksportet, pas Italisë, e Kosovës, me 7% të totalit, ose 24 miliardë lekë. Produkti kryesor i eksportuar janë artikujt e veshjeve. Ato ndiqen nga përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj. Interesant është që bilanci tregtar për zarzavatet me Greqinë është shumë i ulët. Kjo do të thotë pothuajse sa importojmë, aq dhe eksportojmë.
Importet nga Maqedonia e Veriut ishin 14 miliardë lekë në 2025-n, ose 1.5% e totalit. Produktet kryesore të importuara janë lëndët djegëse të ndjekura nga çimento.
Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tregtisë në vend realizohet përmes transportit detar, kryesisht në Portin e Durrësit, teksa partnerët kreysorë janë vende si Italia, Kina e Turqia (ndonëse kjo e fundit kryen dhe transport rrugor).
