Kauza e protestave të Berishës: “Drejtësia down” dhe “Salianji out”

Protestat e thirrura nga Sali Berisha, më shumë sesa akte kundërshtimi ndaj qeverisë, shfaqen si një përpjekje edhe për ta mbajtur drejtësinë larg çështjeve të hapura kundër tij edhe për të ruajtur kontrollin mbi opozitën. Pjesëmarrja e zbehtë dhe mungesa e një platforme të qartë politike dëshmojnë se këto tubime nuk synojnë rrëzimin e pushtetit aktual, por thjesht konsolidimin e pushtetit personal. Kjo sepse kur protesta nuk prodhon vizion, alternativë dhe frymë bashkimi, por reduktohet në akte sporadike dhune nga grupe të vogla individësh, ajo shndërrohet nga tribune qytatare ku artikulohen ideale në bunker militantësh për mbijetesë personale.

Kjo rënie e pjesëmarrjes në protesta nuk është rastësi, por pasojë e një vetë-ndërgjegjësimi në rritje brenda elektoratit demokrat. Një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të Partisë Demokratike tashmë e kanë kanë kuptuar se rikthimi i Berishës nuk ishte projekt politik për  një të ardhme më të mire, por thjesht mekanizëm për të administruar problemet e tij. Ndërsa deputetët e emëruar nga Berisha, në artikulime publike, përpiqen që zbehjen e mbështetjes ta maskojnë me një argument të ricikluar: se Berisha “ka ende 500 mijë vota”. Por cështja nuk është se sa vota kanë mbetur tek Berisha, por sa vota janë humbur nga Berisha. E thënë më qartë, Berisha nuk ka 500 mijë vota; ai ka përgjegjësinë që Partia Demokratike është katandisur në 500 mijë vota. Pra, paradoks është fakti se kjo shifër, në vend që të lexohet si kambanë alarmi për reformim përdoret si alibi për vazhdimësi të një lideri që e ka zëvendësuar progresin me regresin dhe shpresën me mbijetesën.

Themi kështu, sepse cdo opozitë e dëmtuar rëndë nga mungesa e besimit publik, përpjekjet për risi do t’i vlerësonte si shans, jo si kërcënim. Logjika politike do ta diktonte që një lëvizje e re, e dalë nga brenda Partisë Demokratike dhe e udhëhequr nga një figurë aktive si Ervin Salianji, të mbështetej dhe të inkurajohej. Pse ky refuzim ndaj një figure që, në çdo opozitë normale, do të shërbente si simbol rezistence? Përgjigjja lidhet me një të vërtetë se Berisha u kthye për ta përdorur Partinë Demokratike si instrument të një axhende private që synonte dhe synon mbrojtjen e tij dhe rrethit familjar nga drejtësia. Dhe gjuha shantazhuese e Berishës ndaj SPAK-ut si edhe protestat e dhunshme duket se kanë dhënë rezultat. Ai mbetet praktikisht i vetmi politikan i profilit të lartë ndaj të cilit masat janë zbutur duke ngritur dyshime mbi aftësinë e drejtësisë së re për t’i rezistuar presionit politik.

Pikërisht nga këtu merr shpjegim edhe pyetja thelbësore: pse luftohet Salianji? Salianji kërkon të marrë “bunkerin” nga i cili Berisha sulmon, shantazhon dhe negocion për të kapsuluar problemet e veta. Një Parti Demokratike e hapur, me lidership të ri dhe fokus elektoral, do ta bënte stilin politik të Berishës jo vetëm të panevojshëm, por edhe të dëmshëm.

Pra, frika e Berishës nuk lidhet me individin Salianji, por me atë që ai përfaqëson. Ai është rreziku real për rendin e vjetër që Berisha ka ndërtuar brenda Partisë Demokratike. Një rend i bazuar jo te konkurrenca dhe meritokracia. Lufta kundër Salianjit është luftë për të ruajtur status quo-në. Por, nevoja për ndryshim është tashmë më e fortë se frika, dhe këtë e dëshmon mbështetja në rritje që lëvizja po merr në të gjithë gjeografinë e Shqipërisë.

Albin Hoxha
13 February, 11:42 | Përditësimi: 13 February, 11:42