Trafik klandestinësh nga Greqia/ “Itinerari 2” prangos 24-vjeçarin nga Sudani në malet e Drenovës

KORÇË – Policia Kufitare ka goditur një tjetër rast të trafikimit të qenieve njerëzore në juglindje të vendit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Itinerari 2”, është vënë në pranga një shtetas i huaj, i cili dyshohet se drejtonte grupet e emigrantëve për të kaluar ilegalisht kufirin e gjelbër nga Greqia drejt Shqipërisë.

Trafikanti nga Darfuri Në pranga ka rënë shtetasi M. J., 24 vjeç, me banim në Darfur, Sudan. Ai u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, sipër fshatit Drenovë. Sipas hetimeve, 24-vjeçari po ndihmonte 6 emigrantë të tjerë për të hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, me qëllim kalimin tranzit drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Procedimi tjetër Paralelisht me këtë arrestim, Policia ka referuar materialet në Prokurori edhe për shtetasin O. C., 30 vjeç, banues në Elbasan. Ky i fundit po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, pasi dyshohet se ka tentuar të kalojë ilegalisht kufirin në drejtim të Greqisë.

Hetimet vijojnë Policia e Korçës bën me dije se operacioni mbetet aktiv dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë rrjet të transportit të paligjshëm të emigrantëve. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Albin Hoxha
7 February, 09:53 | Përditësimi: 7 February, 09:53