TIRANË – Gazetari investigativ Artan Hoxha ka lëshuar akuza të forta mbi gjendjen aktuale të sistemit të drejtësisë në emisionin “OFF the Record” në A2 CNN. Sipas tij, Reforma në Drejtësi, në vend që të zhdukte korrupsionin, ka sjellë një efekt të padëshiruar: rritjen drastike të tarifave të ryshfetit për shkak të frikës dhe stokut të dosjeve.
“Tarifa” e re: 30 mijë Euro për procedurë Hoxha denoncoi një fenomen të ri që nuk ekzistonte më parë. Për shkak të bllokimit të gjykatave dhe stokut të pafundmë të dosjeve, qytetarët detyrohen të paguajnë shuma marramendëse jo për të blerë pafajësinë, por thjesht për të përshpejtuar procedurat. “Më përpara nuk kishte nevojë të paguhej lekë për të afruar datën e gjyqit. Tani është 30 mijë euro. Jo të të japë drejtësi, po vetëm të të afrojë datën që të kesh mundësi të shkosh te një gjykatë tjetër,” – u shpreh Hoxha.
Paradoksi i Reformës: Inflacion i Ryshfetit Gazetari e krahasoi situatën me politikat ekonomike të tarifave, duke theksuar se spastrimi i sistemit ka rritur koston e “shërbimit” nën dorë. “Mos kujto se ndaloi (korrupsioni). Është rritur thjesht tarifa, siç ka bërë Trumpi që ka arritur nga 30-50%, e njëjta gjë ka ndodhur aty,” – analizoi ai.
Administrata: 3 rroga për 1 karrige Përveç korrupsionit në gjykata, Hoxha u ndal te një tjetër gangrenë financiare: kostot e shkarkimeve të padrejta nga puna.
-
Situata: Mijëra punonjës të shkarkuar fitojnë gjyqet për rikthim në punë ose dëmshpërblim.
-
Pasoja: Shteti paguan aktualisht dy ose tre persona për të njëjtin pozicion (të shkarkuarin që ka fituar gjyqin dhe të punësuarin e ri). “Unë s’kam dëgjuar kryeministrin ta ngrejë këtë shqetësim… kemi në administratë mijëra vende pune që paguhen nga dy dhe tre rroga dhe s’është penalizuar njeri,” – theksoi Hoxha, duke shtuar se kjo i kushton buxhetit miliona euro, po aq sa vendimet e humbura në arbitrazh ndërkombëtar.
Mesazhi për SPAK: Mos prisni kallëzime Hoxha kritikoi edhe pasivitetin e institucioneve në pritjen e denoncimeve zyrtare. Ai i sugjeroi SPAK-ut dhe kreut të tij, Altin Dumani, të mos presin që Doganat apo Tatimet të vetë-denoncohen, por të nisin hetime kryesisht duke u bazuar te denoncimet mediatike dhe faktet publike.
