“Mos nxisni opinionin kundër nesh”/ Prokurorët i përgjigjen Ramës: Presioni dëmton shtetin, jemi në krah të gjyqtarëve për pagat

TIRANË – Pas deklaratave të forta të Kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi kërkesat e gjyqtarëve për rritje pagash si absurde dhe përpjekje për t’u bërë “zot e shkop”, Shoqata e Prokurorëve ka reaguar zyrtarisht. Në një deklaratë për mediat, ata rreshtohen krah kolegëve të tyre gjyqtarë dhe kërkojnë ndalimin e presioneve publike ndaj institucioneve të pavarura.

Kundër retorikës “denigruese” Pa përmendur emra, por duke iu referuar qartë diskursit të fundit politik, prokurorët shprehen se retorika agresive dëmton besimin te drejtësia. “Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës,” – theksohet në deklaratë, duke kërkuar që debati të jetë i ekuilibruar dhe jo sulmues.

Solidaritet për Pagat: Cenim i Kushtetutës Shoqata e Prokurorëve mbështet plotësisht padinë e shoqatave të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Ata argumentojnë se çdo ndryshim ligjor që sjell ulje të pagave ose regres në standardet e fituara, përbën shkelje të garancive kushtetuese që gëzojnë magjistratët.

Thirrja: Lëreni Gjykatën të qetë Në përfundim, prokurorët kërkojnë që politika të tërheqë duart nga presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila është duke shqyrtuar çështjen. “Gjykimi kushtetues duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik,” – përfundon reagimi, duke njohur Kushtetuesen si autoritetin e vetëm legjitim për të vulosur këtë debat.

Albin Hoxha
4 February, 10:39 | Përditësimi: 4 February, 10:47