UASHINGTON/ABU DHABI – Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke i kërkuar që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Kjo deklaratë vjen në një moment kritik, teksa konflikti po mbush plot 4 vite dhe Rusia sapo ka rifilluar sulmet masive ajrore mbi Kiev pas një pauze të shkurtër.
“E mbajti premtimin për pauzën” Pavarësisht rikthimit të bombardimeve, Trump u shfaq diplomatik me liderin e Kremlinit. Ai u tha gazetarëve se Putin “e mbajti premtimin e tij” lidhur me kërkesën për një armëpushim të përkohshëm disa ditor, i cili u respektua para valës së re të sulmeve. Tashmë, presioni i Shtëpisë së Bardhë është për një zgjidhje përfundimtare.
Takimi vendimtar në Abu Dhabi Vëmendja globale është zhvendosur sot në Abu Dhabi, ku pritet të nisë tryeza e bisedimeve për paqen. Delegacioni amerikan përfaqësohet nga njerëzit më të besuar të Trump:
-
Steve Witkoff (i dërguar i posaçëm)
-
Jared Kushner (dhëndri dhe këshilltari i Presidentit)
Ata do të ulen përballë përfaqësuesve të dy shteteve ndërluftuese, Rusisë dhe Ukrainës, në një përpjekje për të gjetur formulën që do të ndalë gjakderdhjen më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
