Skandali me barnat/ Ministria “fryen” çmimet e rimbursimit për kompanitë, por çon drejt falimentit farmacitë: Pacientët mbeten pa ilaçe

TIRANË – Një ndërhyrje e paprecedentë e Ministrisë së Shëndetësisë në listën e barnave ka shkaktuar kaos total në tregun farmaceutik, duke favorizuar hapur kompanitë importuese dhe duke futur në kolaps farmacitë e vogla. Vendimet e fundit kanë sjellë një situatë paradoksale: për disa ilaçe shteti paguan shumëfish më shtrenjtë, ndërsa për të tjera i detyron farmacistët të shesin me humbje drastike.

Favorizimi i “Të Mëdhenjve”: Rritje e çmimit për antibiotikët Për një kategori barnash me përdorim masiv, si antibiotikët apo medikamentet e diabetit (që mbulohen nga lista e rimbursimit), Ministria ka miratuar rritje ekstreme të çmimeve krahasuar me vitin 2025. Edhe pse pacienti nuk e ndjen direkt në xhep pasi ilaçi është falas, kjo rritje rëndon buxhetin e shtetit (taksapaguesve) dhe shkon direkt si fitim i pastër për kompanitë farmaceutike që i importojnë.

Kurthi për Farmacitë: “Bli shtrenjtë, shit lirë” Nga ana tjetër, Komisioni i Vlerësimit të Barnave ka krijuar një situatë absurde për farmacitë e rrjetit të hapur. Për disa medikamente, çmimi i rimbursimit është ulur nën koston e blerjes. Rasti konkret: Një ilaç për zemrën blihet nga farmacia te distributori me 63.9 lekë, por sipas listës së re të Ministrisë, farmacistit i rimbursohet vetëm 19.05 lekë. Kjo do të thotë se për çdo kokërr të shitur, farmacia del me humbje të thellë, duke u detyruar praktikisht të bëjë “evazion” ose të falimentojë.

Pasojat: Bllokohet shërbimi për pacientët Si pasojë e kësaj manovre pa transparencë dhe pa njoftim paraprak, farmacistët kanë pezulluar dhënien e ilaçeve me rimbursim për këto kategori. Pacientët kardiakë dhe kronikë po kthehen mbrapsht prej dy ditësh, pasi farmacitë refuzojnë të shesin mallin disa herë më lirë se sa e kanë blerë. Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë lëvizje që po rëndon shëndetin e qytetarëve dhe po deformon tregun.

Albin Hoxha
2 February, 10:25 | Përditësimi: 2 February, 10:25