Dosja “Epstein”/ Përmenden emrat e Jahjagës dhe Pacollit në dokumentet e SHBA, ish-presidentët: S’kemi pasur asnjë njohje

PRISHTINË – Publikimi i fundit i mbi 3 milionë dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me financierin famëkeq Jeffrey Epstein, ka zbuluar edhe emrat e dy ish-presidentëve të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli. Të dyja figurat e larta politike kanë reaguar menjëherë, duke mohuar kategorikisht çdo njohje, takim apo vizitë në pronat e miliarderit të dënuar për trafikim seksual.

Rasti i Atifete Jahjagës Në dokumentet voluminoze figuron emri i ish-presidentes Jahjaga. Megjithatë, përmes këshilltares së saj, Valentina Abazi, është bërë e ditur se nuk ka pasur kurrë asnjë kontakt mes palëve. “Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është,” – deklaroi Abazi për median në Kosovë, duke hedhur poshtë çdo aludim për lidhje me Epstein.

E-maili për Behgjet Pacollin: “Princesha do që ta shohësh këtë” Për sa i përket ish-presidentit Pacolli, dokumentet zbulojnë një komunikim specifik elektronik. Një person i quajtur Daniel Siad i ka dërguar Epstein-it një e-mail me subjektin: “Kush është Behgjet Pacolli?”. Në brendësi të e-mailit shkruhej: “Përshëndetje Jeffrey, princesha do të donte që ti ta shihje këtë video,” duke bashkëngjitur një link nga YouTube (i cili aktualisht është jofunksional).

I pyetur për këtë çështje, Pacolli ka qenë i prerë në mohimin e tij. “Asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani dëgjoj për ekzistencën e tij,” – u shpreh Pacolli, duke nënkuptuar se emri i tij mund të jetë diskutuar nga palë të treta pa dijeninë e tij.

Jeffrey Epstein, i cili u gjet i vdekur në qeli në vitin 2019, drejtonte një rrjet global të trafikimit seksual të të miturave. Publikimi i dosjeve të tij ka shkaktuar tërmet në sferat e larta të politikës dhe biznesit botëror, pasi aty përmenden emra të shumtë të fuqishëm, ndonëse përmendja në dokumente nuk nënkupton automatikisht përfshirje në krime.

Albin Hoxha
2 February, 10:29 | Përditësimi: 2 February, 10:29