Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka hapur “letrat” e pasurive të sekuestruara nga krimi dhe korrupsioni, duke publikuar katalogun e përditësuar të automjeteve që tashmë administrohen nga shteti. Nga super-makinat si Lamborghini Urus dhe Rolls Royce deri te mjetet e përdorimit të përditshëm, lista ofron një panoramë të plotë të flotës që pritet të dalë në shitje ose të kalojë në përdorim të institucioneve.
Transparenca dhe Ankandet Ky publikim vjen pas zbardhjes së listës së pronave të paluajtshme dhe synon të rrisë transparencën për publikun. Në katalogun e ri, çdo i interesuar mund të gjeje të dhëna të detajuara për secilin mjet: nga statusi ligjor (nëse është thjesht i sekuestruar apo i konfiskuar me vendim të formës së prerë), te specifikimet teknike, viti i prodhimit dhe vlera e përafërt e tregut. Ky hap i hap rrugë procedurave të ankandeve publike, ku qytetarët mund të blejnë këto asete, duke kthyer kështu të ardhurat e paligjshme në fonde për buxhetin e shtetit.
