E hoqën nga puna sepse u doli në krah kolegëve – flet Sokol Shehaj i n/drejtor Kadastrës së Vlorës
Situata në Kadastrën e Vlorës është përshkallëzuar pas vendimit për zhvendosjen e institucionit drejt Tiranës. 55 punonjës kanë kundërshtuar për të dytën ditë radhazi këtë vendim, duke e cilësuar të papritur dhe të paarsyeshëm.
Sipas tyre, zhvendosja është e pamundur për shkak të kushteve familjare dhe sociale, pasi shumica e punonjësve kanë familje, fëmijë dhe prindër në Vlorë, gjë që e bën të pamundur udhëtimin e përditshëm apo transferimin në Tiranë.
Kundërshtimi ka çuar edhe në pasoja të drejtpërdrejta administrative. Nëndrejtori i Kadastrës së Vlorës, Sokol Shehaj, është shkarkuar nga detyra, pasi ka mbështetur punonjësit në qëndrimin e tyre kundër zhvendosjes.
Afati i fundit për transferimin e institucionit është fundi i muajit, periudhë gjatë së cilës pritet të zhvendoset edhe baza materiale e Kadastrës. Punonjësit thonë se pas këtij afati mbetet e paqartë e ardhmja e tyre profesionale.
Në këtë situatë, ata kërkojnë mbështetje nga mediat, si dhe nga institucionet përgjegjëse, deputetët dhe përfaqësuesit politikë të Vlorës, për të ndërhyrë dhe ndalur këtë vendim që rrezikon vendet e tyre të punës.
