Një histori e panjohur që lidh diktaturën komuniste të Tiranës me akullnajat e largëta të Groenlandës është zbuluar së fundmi nga dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit. Në ditarët politikë të Enver Hoxhës dhe procesverbalet sekrete të Byrosë Politike, del në dritë një episod i vitit 1973, ku flitet për ngritjen e flamurit shqiptar në pikën më veriore të globit, por edhe për paranojat që pasuan prishjen me Kinën.
Flamuri shqiptar dhe “Historia e PPSH” në Groenlandë Në ditarin e tij të datës 2 tetor 1973, Enver Hoxha shënon me entuziazëm vizitën e Rexh Bërç (Reginald Birch), kryetarit të Partisë Komuniste të Britanisë (Marksiste-Leniniste). Gjatë takimit, ku ishte e pranishme edhe Nexhmije Hoxha, Bërç i tregon diktatorit një ngjarje të pazakontë: “Djali im, kirurg dhe alpinist, u ngjit i pari në një majë mali të pazbuluar në Groenlandë. Ai nguli aty flamurin shqiptar dhe depozitoi të mbështjellë me celofan Historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë. Majës groenlandeze i vunë emrin ‘Maja e Shqiponjës’.” Hoxha e përshkruan bisedën si të ngrohtë dhe miqësore, duke e ftuar djalin e Bërçit të vizitonte Alpet shqiptare.
Kthesa e vitit 1978: Nga “Mik” në “Agjent të Inteligjencës” Dokumentet tregojnë se idili zgjati vetëm sa zgjati aleanca me Kinën. Pas vitit 1978, kur Tirana dhe Pekini i ndërprenë marrëdhëniet, Rexh Bërç u rreshtua në krah të Maos, duke kritikuar librin e Hoxhës “Imperializmi dhe Revolucioni”. Në një mbledhje sekrete me sekretarët e KQ, Hekuran Isai dhe Prokop Murra (të zbardhur në procesverbalet e vitit 1978), gjuha e Enver Hoxhës ndryshon rrënjësisht. “Kur lexova se ç’kishte thënë Bërç, vura duart në kokë. Duket qartë se ai është një agjent i imperializmit anglez,” – u thotë Hoxha vartësve të tij.
Paranoja e Hoxhës: “Borgjezia po ruan Mao Ce Dunin” Në analizën e tij para sekretarëve, Hoxha zhvillon teorinë se Bërç ishte një “revizionist i maskuar” i përdorur nga borgjezia britanike për të mbajtur gjallë “Maocedunidenë” si një mjet për të përçarë lëvizjen punëtore. “Ai është njeri i borgjezisë… për një moment, për të shkaktuar përçarje, e nxjerrin sikur është marksist i kulluar. Borgjezia i thotë: Na duhet ky (Mao), ndaj mbroje,” – argumenton Hoxha në dokumentet sekrete.
Hipokrizia me vartësit Një detaj interesant që del nga krahasimi i dokumenteve është mungesa e sinqeritetit të Hoxhës me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ndërsa në ditarin e vitit 1973 ai pranon se e ka pritur vetë Bërçin në një takim të ngrohtë familjar, në vitin 1978, duke folur me Hekuran Isain, ai distancohet duke thënë se me Bërçin “kishte biseduar shoku Ramiz”, duke fshehur faktin e afrimitetit të tij personal të dikurshëm.
Këto dokumente hedhin dritë jo vetëm mbi propagandën globale të regjimit, që kishte arritur deri në Groenlandë, por edhe mbi natyrën paranojakë dhe të paqëndrueshme të aleancave të Enver Hoxhës.
