OPINION/ Opozitën po e vret konspiracionizmi, jo humbja – Pse ftesa e Trump për Ramën rrëzoi mitin e “Shpëtimtarit”

Opozitën shqiptare do ta vrasë konspiracionizmi, asgjë tjetër. Atë nuk do ta vrasë as humbja në zgjedhje, as mungesa e demokracisë së brendshme. Këto janë plagë që një parti, pas reflektimeve të gjata e të vështira, mund t’i shërojë për t’u ringritur.

Por ajo që nuk e lejon kurrë një organizatë të reflektojë, të shohë veten në pasqyrë dhe të ndryshojë, është konspiracionizmi: shpjegimi i botës, i vetes dhe i strategjisë së fitores përmes komploteve të jashtme.

Ftesa e Trump dhe shembja e narrativës Dy ditë më parë u njoftua se kryeministri Rama ka marrë një ftesë nga presidenti amerikan Donald Trump për të qenë anëtar i “Bordit të Paqes për Gazën”. Ky zhvillim vjen pas një marrëveshjeje komplekse ndërkombëtare mes SHBA-së, Izraelit dhe aktorëve rajonalë.

Brenda këtij bordi gjigant politik me rreth 100 vende, të drejtuar nga Trump, Shqipëria ftohet si partnere. Kjo ftesë është padyshim një lajm i mirë për vendin, duke rikonfirmuar se Shqipëria mbetet aleate strategjike e SHBA-së, pavarësisht kush është në Shtëpinë e Bardhë.

Por, sapo doli lajmi, në radhët e opozitës pati një konvulsion të madh. Ata nuk mund ta pranonin këtë realitet, sepse ai rrëzon si kështjellë rëre narrativën e tyre shumëvjeçare.

Miti i “Soros” dhe pritja e Godosë Prej vitit 2021, opozita ka investuar gjithçka në një skemë të thjeshtëzuar:

  • Administrata Biden/Obama ishte nën kontrollin e Soros.

  • Rama është vegël e Soros.

  • Berisha u shpall non-grata nga Soros.

  • SPAK-u është armë e Soros.

Shpresa e tyre e vetme ishte se Donald Trump, sapo të vinte në pushtet, do të shkatërronte këtë “rrjet soroist” dhe, rrjedhimisht, do të asgjësonte Edi Ramën. Fantazia shkonte deri aty sa prisnin që Trump ta trajtonte Ramën si Maduron e Venezuelës.

Por ja që Trump jo vetëm nuk e izoloi, por e ftoi në një nga iniciativat e tij madhore globale. Sigurisht, në politikë ka lobime, por konspiracionizmi nuk i tejkalon kurrë ligjësitë e shteteve. Rama mund të jetë një qeverisës i keq, i korruptuar, dhe mund të ketë shkatërruar ligjin në Shqipëri, por këto janë mëkate për të cilat duhet të përgjigjet para shqiptarëve, jo para një “gjyqi magjik” gjeopolitik.

Pse opozita zgjedh iluzionin? Richard Hofstadter, në librin e tij të famshëm “Stili paranoidal në politikën amerikane”, e shpjegon qartë: Konspiracioni shërben si mekanizëm mbrojtës kur aktorët politikë humbin autoritetin moral.

Në vend që të pranohet dështimi, përgjegjësia zhvendoset te “forca të fshehta”. Kjo ruan narrativën se humbja nuk është reale, por e imponuar nga jashtë.

  • Konspiracioni thjeshton realitetin.

  • Krijon një ndarje “ne kundër atyre”.

  • Mobilizon emocionalisht militantët, por largon masën e gjerë racionale.

Kjo qasje po e masakron opozitën. Duke pritur që Rama të bjerë nga dora e Trumpit apo faktorëve të jashtëm, opozita refuzon të bëjë detyrën e saj: të shndërrohet në një lëvizje popullore reale. Sot, shpëtimi nuk vjen nga konspiracionet në Uashington, por nga përballja me realitetin në Tiranë. Opozitën po e vret iluzioni se dikush tjetër do t’ia bëjë betejën.

Avatar photo
Albin Hoxha
20 January, 11:14 | Përditësimi: 20 January, 11:14