Skandal në Vlorë/ Pacolli akuzon Ballukun: Po më bllokoni Aeroportin për llogari të kushëririt!

Një nga investimet më strategjike në vend, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, rrezikon të kthehet në një betejë ligjore dhe politike. Investitori kryesor, Behgjet Pacolli (Mabco Constructions), i cili zotëron 98% të aksioneve dhe ka investuar 80 milionë euro, akuzon drejtpërdrejt zv/kryeministren Belinda Balluku se po përdor pushtetin shtetëror për të favorizuar ortakun minoritar (2%), Valon Ademi.

Takimi “Klandestin” i 12 Janarit 2026

Konflikti ka eskaluar pas një ngjarjeje të paprecedentë të ndodhur më 12 janar në kantierin e aeroportit. Përmes një letre zyrtare drejtuar Ballukut dhe Kryeministrit Rama, kompania “Mabco” denoncon se:

  • Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Albcontrol kanë zhvilluar një mbledhje zyrtare vetëm me ortakun e vogël, Valon Ademi (“2A Group”).

  • Përfaqësuesit ligjorë të Pacollit (z. Afrim Aziri dhe Drejtori i Projektit z. Fadil Neziri) janë penguar fizikisht dhe janë nxjerrë jashtë nga takimi me miratimin e heshtur të zyrtarëve të ministrisë.

“Kjo tregon një qëllim të paracaktuar: të komunikonin në mënyrë të njëanshme me ortakun e minorancës (2%), duke përjashtuar qëllimisht ortakun mazhoritar (98%),” thuhet në letrën e Pacollit.

Prapaskena: Zinxhiri Balluku – Abazi – Ademi

Pse Ministria po mbështet ortakun me vetëm 2% kundër investitorit kryesor? Sipas analizës, arsyeja fshihet pas lidhjeve familjare dhe të biznesit që çojnë te njerëzit e afërt të Belinda Ballukut.

Skema e dyshuar e interesit është kjo:

  1. Arbër Abazi (fitues i shumë tenderave publikë, përfshirë Unazën e Madhe) është bashkëjetues me vajzën e tezes së Belinda Ballukut.

  2. Abazi është ortak në biznes (tek kompania “Alko-Impex” dhe “Kukur Hydro Energy”) me Imer Ademin.

  3. Imer Ademi është babai i Valon Ademit (aksionerit me 2% në Vlorë).

Qëllimi final? Sipas burimeve, presioni institucional (mospjesëmarrja në mbledhje, bllokimi i certifikimeve) po bëhet për të detyruar Pacollin që t’i japë këtij grupi 49% të aksioneve (nga 2% që kanë aktualisht), duke u dhënë kështu kontrollin mbi gjysmën e aeroportit pa investuar.

Avatar photo
Albin Hoxha
19 January, 10:37 | Përditësimi: 19 January, 10:37