Mond Plaka shpërthen: PD në Fier nuk egziston, përgjegjësi kryesor Luan Baçi
Mond Plaka, nënkryetar i Partisë Demokratike në Fier dhe ish-kryetar për disa mandate i Komunës Kuman, ka bërë deklarata të forta në një intervistë për mediat, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta për gjendjen alarmante të Partisë Demokratike në Fier.
Sipas Plakës, PD në këtë qark është kthyer në një strukturë fantazmë, e shkëputur plotësisht nga qytetarët, pa aktivitet politik dhe pa asnjë lidhje reale me problemet e komunitetit. Ai thekson se dega e Fierit nuk ekziston më as politikisht dhe as organizativisht.
Nënkryetari demokrat nuk ngurron të tregojë me emër përgjegjësin kryesor për këtë situatë, duke akuzuar drejtpërdrejt deputetin Luan Baçi për shkatërrimin e strukturave lokale dhe për dobësimin e qëllimshëm të Partisë Demokratike në Fier.
“PD në Fier është lënë në mëshirë të fatit. Strukturat janë shkatërruar, baza është braktisur dhe qytetarët nuk përfaqësohen më. Kjo ka një emër dhe një përgjegjësi politike,” – ka deklaruar Plaka.
Deklaratat e tij pritet të ndezin debat të fortë brenda Partisë Demokratike dhe të thellojnë përplasjet në degën e Fierit, në një moment kritik për opozitën.
