Një krisje e thellë diplomatike po vizatohet në horizontin e NATO-s. Kryeministri britanik Keir Starmer po planifikon një lëvizje të guximshme ushtarake: dërgimin e trupave në Groenlandë. Qëllimi zyrtar është mbrojtja nga Rusia dhe Kina, por burimet thonë se qëllimi i vërtetë është frenimi i ambicieve të Presidentit Donald Trump për të aneksuar ishullin danez.
Sipas prestigjiozeve The Independent dhe The Telegraph, Londra është në bisedime intensive me Berlinin dhe Parisin për të krijuar një “mburojë europiane” në Arktik.
Plani: “Muri” i NATO-s në Arktik
Për të shmangur një blerje të detyruar apo një ndërhyrje ushtarake amerikane, fuqitë europiane po hartojnë një plan operacional nën ombrellën e NATO-s që përfshin:
-
Forca Tokësore: Dislokimin e trupave elitë në ishull.
-
Flota: Patrullimin me anije luftarake dhe avionë.
-
Inteligjenca: Bashkëpunim të ngushtë për monitorimin e aktivitetit në Polin e Veriut.
Kjo lëvizje synon t’i tregojë Uashingtonit se Groenlanda është e sigurt dhe nuk ka nevojë për “mbrojtjen” e drejtpërdrejtë amerikane.
Obsesioni i Trump dhe “Thesari” nën Akull
Donald Trump nuk e ka fshehur interesin për ishullin, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës.
“Nuk do ta lejojmë Rusinë apo Kinën të jenë fqinjët tanë,” ka deklaruar ai, duke përdorur rrezikun lindor si pretekst për të marrë kontrollin.
Por beteja nuk është vetëm për territor. Groenlanda konsiderohet “Arabia Saudite” e mineraleve të rralla. Ajo zotëron rezerva gjigante të bakrit, nikelit dhe elementeve të rralla, të cilat janë jetike për prodhimin e çipave, baterive dhe teknologjisë ushtarake të së ardhmes.
Diplomacia në fije tëperit
Çështja është diskutuar me urgjencë në Bruksel të enjten. Aleatët i kanë kërkuar Komandës Supreme të NATO-s të gjejë opsione për të blinduar Arktikut, në një përpjekje të dëshpëruar për të parandaluar një përplasje mes Perëndimit për një nga territoret më strategjike të globit.
