Përmbytjet/ Rama kthen përgjigje me ironi: Pse nuk më fajësoni edhe për Italinë e Greqinë?

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë ndaj situatës së rënduar nga reshjet dhe akuzave të opozitës (si ato të Salianjit për Durrësin) përmes një postimi ironik në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë e ka zhvendosur vëmendjen te situata rajonale, duke nënkuptuar se fenomeni i përmbytjeve ka prekur të gjithë Mesdheun dhe jo vetëm Shqipërinë.

“Çudi e madhe me opozitat andej…”

Rama shtroi pyetjen retorike se përse akuzat ndaj tij kufizohen vetëm brenda kufijve, kur moti i keq ka goditur edhe fqinjët.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë…” shkruan Rama.

Ai vazhdoi ironinë duke thumbuar sjelljen politike të opozitës shqiptare krahasuar me vendet e tjera: “Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf.”

Me këtë mesazh, Rama kërkon të minimizojë përgjegjësinë qeverisëse për situatën, duke e faturuar atë si një “force madhore” natyrore që ka gjunjëzuar edhe vende me infrastrukturë më të fortë se Shqipëria.

Avatar photo
Albin Hoxha
7 January, 10:07 | Përditësimi: 7 January, 10:07