“Pastrim” në Policinë e Beratit/ Pezullohen 4 inspektorë: Abuzuan me gjobat dhe shoferët

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier–Berat) ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Beratit për pezullimin nga detyra të katër punonjësve të policisë, të cilët akuzohen se e kanë kthyer shërbimin në rrugë në një mekanizëm abuziv.

Sipas hetimeve proaktive të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, efektivët dyshohet se kanë luajtur me dy standarde: duke favorizuar miq ose të njohur në shkelje të Kodit Rrugor, dhe duke penalizuar padrejtësisht qytetarë të tjerë.

Të Pezulluarit

Masa e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” u ekzekutua për këta punonjës, kryesisht të seksionit të Trafikut:

  1. Inspektor A.S. – Trupë shërbimi, Seksioni i Trafikut Urban dhe Interurban.

  2. Inspektor M.D. – Trupë shërbimi, Seksioni i Trafikut Urban dhe Interurban.

  3. Inspektor A.Q. – Trupë shërbimi, Seksioni i Trafikut Urban dhe Interurban.

  4. Inspektor K.G. – Oficer i Patrullës së Përgjithshme, Komisariati Berat.

Skema e abuzimit

Hetimi ka zbuluar se këta punonjës, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të qëllimshme, kanë shkelur ligjin gjatë orarit të shërbimit. Ata akuzohen për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” (Neni 248), pasi kanë ndërhyrë në procesverbalet e konstatimit të shkeljeve, duke krijuar pabarazi para ligjit për drejtuesit e mjeteve në qarkun e Beratit.

Avatar photo
Albin Hoxha
7 January, 10:18 | Përditësimi: 7 January, 10:18