Havana në zi/ Konfirmohen 32 “komandos” kubanezë të vrarë duke mbrojtur Maduron: “Rezistencë deri në fund”

Partia Komuniste e Kubës ka thyer heshtjen duke konfirmuar zyrtarisht se gjatë operacionit “blic” të forcave amerikane në Karakas, kanë mbetur të vrarë 32 efektivë kubanezë, të cilët shërbenin si rrethi i fundit dhe më i besuar i sigurisë për Nicolas Maduron.

Në një postim në platformën X, Havana ka publikuar emrat dhe fotot e të rënëve, duke i nderuar ata si dëshmorë të “agresionit imperialist”.

“Terrorizëm Shtetëror”

Reagimi i Kubës ka qenë i ashpër, duke e cilësuar ndërhyrjen e SHBA-së si një shkelje flagrante të sovranitetit.

“Viktima të një akti të ri kriminal agresioni dhe terrorizmi shtetëror, të kryer kundër Republikës Bolivariane simotër të Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara,” shkruhet në deklaratë.

Luftimet e ashpra

Detaji më i rëndësishëm i deklaratës është konfirmimi i përplasjes së armatosur. Partia Komuniste thekson se 32 kubanët “kanë humbur jetën në luftime dhe pas rezistencës së ashpër”.

Kjo dëshmi përforcon raportimet se siguria fizike e Maduros i ishte besuar prej vitesh shërbimeve sekrete dhe forcave speciale kubane, pasi diktatori venezuelian nuk kishte besim të plotë te garda e tij vendase. Për Havanën, këta ushtarë ranë duke mbrojtur “Revolucionin Bolivarian”.

Avatar photo
Albin Hoxha
7 January, 10:17 | Përditësimi: 7 January, 10:17