ALARM/ Rrjeti ndërkombëtar po zhvat shqiptarët me “Kazino Virtuale”: Si funksionon skema e mashtrimit në Facebook

Një rrjet i sofistikuar kriminal po shfrytëzon rrjetet sociale për të mashtruar qytetarët shqiptarë, duke u marrë paratë dhe të dhënat bankare përmes reklamave për “kazino online” inekzistente.

Hetimet kanë zbuluar se pas fasadës së kazinove të famshme të Tiranës, fshihen administratorë nga Ukraina, Vietnami dhe Kolumbia, të cilët përdorin teknologji të avancuar për t’i shpëtuar filtrave të sigurisë.

Si funksionon kurthi: Teknika “Cloaking”

Mashtruesit përdorin një metodë të quajtur “Maskimi” (Cloaking) për të gënjyer si Facebook-un, ashtu edhe përdoruesit:

  1. Për Facebook-un (dhe kompjuterat): Nëse reklama klikohet nga një kompjuter ose inspektohet nga robotët e sigurisë, ajo të dërgon te faqe legjitime (si p.sh. një aplikacion bujqësor i FAO-s). Kjo bën që reklama të miratohet.

  2. Për Viktimat (Celularët në Shqipëri): Nëse klikon nga celulari, një skript i fshehur identifikon vendndodhjen dhe të ridrejton te faqe të rreme si arenacasino-official.com, të cilat imitojnë kazinotë reale dhe kërkojnë të dhënat e kartave të kreditit.

Kujdes/ Shenjat që tregojnë mashtrimin

Qytetarët duhet të jenë vigjilentë ndaj këtyre detajeve që demaskojnë mashtrimin:

  • Gjuha e çalë: Përkthime automatike pa kuptim si “Shumë kopsh kjo punë”.

  • Fitimet absurde: Premtime për “Bonus 1500 euro” apo fitime të menjëhershme me pak lekë.

  • Domenet e reja: Faqet janë hapur vetëm pak ditë më parë (p.sh. 17 Dhjetor 2025) dhe shpesh përdorin prapashtesën “-official”, tipike për vjedhjen e të dhënave.

Autoritetet “dorëzohen”: Mbyllim një, hapen dy

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe Policia janë në dijeni, por e kanë të vështirë ta ndalin. “Edhe nëse ne i raportojmë, ato mjaftojnë të ndryshojnë një shkronjë në emër dhe janë sërish online,” shprehet Valentino Loka nga AMLF.

Kazinotë reale (Grand Casino, Arena, etj.) kanë mohuar kategorikisht të kenë lojëra online dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e këtyre reklamave që vjedhin identitetin e tyre tregtar.

Avatar photo
Albin Hoxha
7 January, 10:11 | Përditësimi: 7 January, 10:11