Prurjet e Vjosës mund te rrezikojnë përmbytje në disa fshatra të Fierit, paralajmëron Prefektura
Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Prefekturën Fier, z. Kreshnik Ymeraj, në një prononcim për mediat është shprehur se rritja e prurjeve të lumit Vjosë mund të sjellë rrezik për përmbytje në disa zona të ulëta.
Sipas tij, fshatrat Çerven, Ferras, Kashisht dhe Hambar janë ndër zonat më të rrezikuara nga dalja e ujit nga shtrati. Gjithashtu sipas parashikmeve te shprehura nga zonat e mbrojtura mesohet se gjatë pasdites priten erëra të forta detare, të cilat mund të ndikojnë në ngadalësimin e derdhjes së Vjosës në Detin Adriatik.
Ky fenomen, sipas autoriteteve, mund të përkeqësojë situatën hidrologjike dhe të shkaktojë përmbytje në zonat përreth lumit. Strukturat e Emergjencave Civile janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje banorëve të këtyre zonave të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
