Vetëm pak orë pasi babai i tij, Nicolás Maduro, u transferua nën masa të rrepta sigurie në një burg federal në Nju Jork, djali i tij dhe deputeti i Kongresit, Nicolás Maduro Guerra, ka lëshuar kushtrimin e parë për mbështetësit e regjimit.
Në një mesazh audio që konfirmon teoritë e konspiracionit për një “grusht shteti të brendshëm”, ai foli hapur për tradhti nga rrethi i ngushtë.
Akuza: “Rrethi i ngushtë na tradhtoi”
Mesazhi i “Nicolasito-s” (siç njihet ndryshe) lë të kuptohet se operacioni amerikan nuk do të kishte pasur sukses pa ndihmën e brendshme të figurave të larta të Çavizmit.
“Historia do të tregojë se kush ishin tradhtarët, historia do ta zbulojë,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se emrat e atyre që bashkëpunuan me SHBA-në do të dalin në dritë.
Thirrje për mobilizim dhe kaos
Për të shmangur rënien e plotë të strukturës politike të partisë, Maduro Guerra u ka bërë thirrje militantëve të dalin masivisht në rrugë, duke sinjalizuar një rezistencë të mundshme civile.
“Do të na shihni në rrugë, do të na shihni përkrah popullit, do të na shihni duke ngritur flamurin e dinjitetit,” përfundoi ai, në një përpjekje për të galvanizuar bazën e tronditur të partisë.
