Retorika e luftës mes Uashingtonit dhe Teheranit është rindezur fuqishëm. Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, i është përgjigjur me një kërcënim të drejtpërdrejtë ultimatumit të Presidentit Donald Trump, duke paralajmëruar publikun amerikan për sigurinë e trupave të tyre.
Kërcënimi i Larijanit: “Mos destabilizoni rajonin”
Larijani e bëri të qartë se çdo ndërhyrje e SHBA-së në trazirat e brendshme të Iranit do të ketë pasoja shkatërruese për vetë interesat amerikane.
“Trump duhet ta dijë se ndërhyrja në zhvillimet tona destabilizon të gjithë rajonin,” tha zyrtari i lartë. Por deklarata më e fortë ishte ajo që u interpretua si një kërcënim ushtarak: Larijani u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të “kujdesen për ushtarët e tyre”, duke nënkuptuar se bazat dhe personeli ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme mund të jenë shënjestër e hakmarrjes.
Ultimatumi i Trump: “Jemi të karikuar dhe gati”
Ky reagim i ashpër vjen pas paralajmërimit të Donald Trump lidhur me protestat që kanë përfshirë Iranin. Presidenti amerikan vendosi një “vijë të kuqe”: përdorimin e dhunës vdekjeprurëse ndaj protestuesve.
Në stilin e tij karakteristik, Trump deklaroi: “Nëse Irani qëllon dhe vret protestues paqësorë, SHBA do të vijë në ndihmë të tyre. Jemi të karikuar dhe gati për të vepruar (Locked and loaded).”
Kjo përplasje deklaratash vjen në një moment kritik, kur rrugët e Iranit janë përfshirë nga protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë, duke rritur frikën e një konflikti më të gjerë.
