Ndryshimi i madh/ Hyn në fuqi sistemi “Bonus-Malus”: Nga janari, siguracioni i makinës varet nga 7 faktorë risku

Duke filluar nga janari 2026, tregu i sigurimeve të mjeteve në Shqipëri pëson ndryshimin më rrënjësor të viteve të fundit. Hyn zyrtarisht në fuqi sistemi “Bonus-Malus”, i cili shfuqizon tarifat fikse dhe vendos parimin: “Sa më i kujdesshëm në timon, aq më pak paguan”.

Viti 2025 u konsiderua si “Viti 0” për mbledhjen e të dhënave, ndërsa tani nis zbatimi financiar i tyre.

7 Faktorët që përcaktojnë çmimin

Tashmë, çmimi i policës së sigurimit nuk do të jetë standard, por do të llogaritet bazuar në një formulë komplekse që përfshin 7 faktorë risku:

  1. Historiku i aksidenteve: (Faktori kryesor – kush ka shkaktuar dëme, paguan më shtrenjtë).

  2. Fuqia motorike: (Mjetet e fuqishme konsiderohen me risk më të lartë).

  3. Mosha e shoferit: (Shoferët e rinj penalizohen).

  4. Eksperienca në drejtim: (Vitet e patentës).

  5. Vjetërsia e mjetit.

  6. Përdorimi i mjetit.

  7. Qarku i regjistrimit.

Debati për Qarqet: Tirana paguan më shumë

Një nga pikat më të debatuara, e cila është kundërshtuar edhe në komisionet parlamentare, është faktori gjeografik.

Sipas rregullores së re, qytetarët që e kanë regjistruar mjetin në qarqe me trafik më të ulët si Berat, Dibër apo Kukës, do të përfitojnë ulje (bonus), pasi risku i aksidenteve atje është më i vogël. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve në Tiranë dhe qarqet e tjera të mëdha do të penalizohen me tarifa më të larta, për shkak të dendësisë së trafikut dhe incidencës së lartë të aksidenteve.

Avatar photo
Albin Hoxha
2 January, 11:27 | Përditësimi: 2 January, 11:27