Kukës: Arusha me katër këlyshë bllokon rrugën në Kolesjan, banori izolohet për dy orë në makinë

Një ngjarje e rrallë dhe e rrezikshme është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Kolesjan të Kukësit, ku një arushë e shoqëruar nga katër këlyshët e saj ka zbritur në rrugën kryesore të zonës.

Prania e kafshëve të egra në zonat e banuara është dokumentuar nga një banor vendas, Nik Ismailja, i cili u përball papritur me to ndërsa po kthehej në shtëpi me automjetin e tij.

Dëshmia e qytetarit

Ismailja ka rrëfyer momentet e panikut kur në një nga kthesat e fshatit i është shfaqur tufa e arinjve. Për shkak të rrezikshmërisë që paraqet arusha kur është me të vegjlit e saj, qytetari është detyruar të qëndrojë i mbyllur në automjet për një kohë të gjatë.

“Isha në makinë dhe po shkoja në shtëpi. Papritur, në një prej kthesave të fshatit Kolesjan, u përballa me arinjtë. U shtanga dhe u tremba. Kam qëndruar në makinë për rreth dy orë, derisa ata u larguan nga rruga dhe u futën në pyll,” tregon dëshmitari.

Ai shton se frika e momentit e ka penguar të realizojë video, duke mundur të shkrepë vetëm një fotografi si dëshmi e ngjarjes.

Pas këtij rasti, banorëve të zonës u bëhet thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve në rrugët e fshatit dhe të shmangin çdo kontakt me kafshët e egra, duke njoftuar menjëherë autoritetet përkatëse.

Avatar photo
Albin Hoxha
23 December, 11:20 | Përditësimi: 23 December, 11:20