Kim Jong Un shfaqet sërish me “pasardhësen”: Përurojnë zonën e re turistike në prag të Kongresit

Lideri koreano-verior, Kim Jong Un, është shfaqur sërish në publik i shoqëruar nga vajza e tij, Ju Ae, duke përforcuar sinjalet për rolin e saj në të ardhmen e regjimit. Rast për këtë dalje ishte ceremonia e hapjes së një kompleksi të ri hotelesh në zonën turistike të Samjiyon, në verilindje të vendit, pranë kufirit me Kinën.

Sinjalet për trashëgiminë e pushtetit

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, Kim dhe e bija inspektuan ambientet e pesë hoteleve të sapohapura. Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se prania e vazhdueshme e Ju Ae në krah të babait në ngjarje të rëndësishme civile dhe ushtarake, konfirmon statusin e saj si favoritja kryesore për të pasuar drejtimin e Koresë së Veriut.

Propagandë ekonomike para Kongresit

Kjo vizitë vjen në një moment të intensifikimit të aktiviteteve publike të liderit, i cili vetëm javën e kaluar përuroi tre fabrika të reja. Kim e cilësoi hapjen e hoteleve si “dëshmi e qartë e rritjes së statusit të njerëzve dhe potencialit të zhvillimit të shtetit”.

Këto lëvizje shihen si përgatitje për Kongresin e Partisë që pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm, i pari pas pesë vitesh. Në këtë kongres pritet të shpallet plani i ri pesë-vjeçar i zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit të izoluar.

Avatar photo
Albin Hoxha
23 December, 11:22 | Përditësimi: 23 December, 11:26