Vizitë historike në Shkodër/ Kryepeshkopi Joan drejton meshën e Krishtlindjes: Shoqëria pa Zotin dështon

Për herë të parë, Kryepiskopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka vizituar qytetin e Shkodrës, ku këtë të diel ka drejtuar liturgjinë hyjnore në kishën ortodokse të qytetit. Kjo vizitë, e cila vjen në prag të festës së Krishtlindjes, u konsiderua një moment historik dhe i veçantë për komunitetin lokal.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Mesazhet për besimin dhe familjen

Gjatë predikimit të tij, Kryepiskopi përcolli mesazhe të forta shpirtërore, duke u ndalur te rëndësia jetike e pranisë së Zotit në jetën personale dhe shoqërore.

“Çdo përpjekje për të ndërtuar jetën, shoqërinë apo lumturinë pa Zotin është e destinuar të dështojë,” theksoi Fortlumturia e Tij, duke shtuar se porositë hyjnore nuk duhen parë si kufizim i lirisë njerëzore, por si garancia e vetme e saj.

Ai u ndal gjithashtu te kuptimi i thellë i Kreshmës, duke sqaruar se ajo shkon përtej heqjes dorë nga ushqimi fizik. Sipas Kryepiskopit, thelbi qëndron te pastrimi shpirtëror, largimi nga veset si thashethemet dhe shpifjet, si dhe te misioni për ringritjen e natyrës njerëzore përmes Krishtit. Një rëndësi e veçantë iu kushtua familjes, e cilësuar si bërthama e komunitetit dhe themeli i shoqërisë së shëndoshë.

Harmonia ndërfetare dhe takimet zyrtare

Pas përfundimit të meshës, agjenda e Kryepiskopit Joan vijoi me vizita institucionale. Ai zhvilloi takime në Bashkinë e Shkodrës dhe në Myftininë e qytetit. Këto vizita shërbyen për të përcjellë mesazhe paqeje dhe bashkimi, duke rikonfirmuar traditën e harmonisë ndërfetare që karakterizon Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.

Avatar photo
Albin Hoxha
21 December, 14:52 | Përditësimi: 21 December, 14:52