Radhë të gjata në Qafë Thanë: Fluks në të dyja kahet, pritja shkon deri në 40 minuta

Fundjava dhe afrimi i festave të fundvitit kanë sjellë fluks të lartë lëvizjesh në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Raportohet për radhë të gjata mjetesh si në hyrje, ashtu edhe në dalje të territorit shqiptar, ku automjetet janë rreshtuar në dy dhe tre korsi.

🎧 Dëgjo artikullin
Gati për lexim

Situata operacionale dhe shkaqet

Pavarësisht se autoritetet kufitare po punojnë me kapacitet të shtuar, duke vënë në dispozicion nga 3 sportele në secilin sens lëvizjeje, qytetarëve u duhet të presin të paktën 40 minuta për të kryer procedurat e kalimit.

Sipas Policisë Kufitare, faktorët që kanë çuar në këtë mbingarkesë janë të shumëfishtë:

  • Lëvizjet e zakonshme të fundjavës dhe vizitat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë.

  • Lëvizja e banorëve të zonave kufitare (Pogradec dhe Përrenjas), të cilët kalojnë kufirin për të kryer blerjet e festave, të nxitur nga çmimet më të lira në tregjet e Maqedonisë së Veriut.

  • Kthimi i emigrantëve nga Greqia, një pjesë e të cilëve po përdorin Qafë Thanën si alternativë për të shmangur fluksin në pikën e Kapshticës.

Autoritetet parashikojnë që intensitet i lëvizjeve të vijë në rritje gjatë gjithë orëve të ditës dhe të vijojë me ritme të larta deri në natën e ndërrimit të viteve.

Avatar photo
Albin Hoxha
21 December, 14:50 | Përditësimi: 21 December, 14:50