Peleshi reagon pas kaosit në Kuvend duke dënuar sjelljet që cenojnë dinjitetin dhe bën thirrje që shteti të vendoset mbi partinë

Pas skenave të tensionit, bllokimit dhe kaosit që dominuan seancën e sotme plenare, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar përmes një qëndrimi zyrtar ku dënon ashpër degradimin e etikës parlamentare. Peleshi theksoi se institucioni më i lartë i Republikës nuk mund të trajtohet si një arenë për beteja personale apo partiake, por duhet të jetë vendi ku fjala dhe sjellja dëshmojnë përgjegjshmëri dhe i shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes.

Në mesazhin e tij, kreu i Kuvendit nënvizoi se bashkëpunimi mes palëve është një detyrim ndaj qytetarëve dhe se interesi i shtetit duhet të prevalojë gjithmonë mbi llogaritë e ngushta politike. Sipas tij, asnjë forcë politike nuk zotëron monopolin e së vërtetës dhe çdo veprim që cenon rregullat e funksionimit të Kuvendit, automatikisht dëmton dinjitetin e përfaqësimit.

Duke bërë thirrje për dialog serioz në vend të kaosit, Peleshi e mbylli reagimin e tij me një falënderim të veçantë për punonjësit e Gardës së Republikës dhe administratën e Kuvendit, duke vlerësuar korrektesën dhe profesionalizmin e tyre në menaxhimin e situatës së vështirë të krijuar në sallë.

Avatar photo
Albin Hoxha
18 December, 13:56 | Përditësimi: 18 December, 13:56