Ngjarje e pazakontë është regjistruar në një autostradë në Florida, ku një avion i vogël u detyrua të kryente ulje emergjente dhe përfundoi mbi një automjet që po lëvizte me shpejtësi.
Nga pamjet filmike të publikuara, avioni shihet teksa humbet kontrollin, zbret me shpejtësi dhe përplaset drejtpërdrejt mbi një automjet tip Toyota. Përplasja ka shkaktuar panik në zonë, ndërsa trafiku u bllokua për disa minuta.
Shoferja 57-vjeçare e automjetit u transportua menjëherë në spital dhe fatmirësisht ka pësuar vetëm lëndime të lehta. Autoritetet bëjnë me dije se dy pasagjerët 27-vjeçarë që ndodheshin në avion kanë shpëtuar pa asnjë gërvishtje—një fakt që ekspertët e aviacionit e kanë quajtur “mrekulli”, duke marrë parasysh mënyrën dramatike të uljes.
Grupet hetimore po punojnë për të zbardhur shkaqet që detyruan avionin të kryente uljen emergjente.
