UGSH denoncon fushatën e linçimit dhe kërcënimet ndaj gazetarëve që vizituan Izraelin: Të ndërhyjnë organet e drejtësisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër përmes një deklarate zyrtare të datës 7 Dhjetor 2025, duke ngritur alarmin për një situatë të paprecedentë linçimi publik ndaj një grupi gazetarësh nga Shqipëria dhe Kosova. Shkak për këtë valë agresiviteti është bërë pjesëmarrja e tyre në një vizitë faktmbledhëse në Izrael, vendi që ndodhet aktualisht në epiqendër të vëmendjes botërore për shkak të luftës në Gaza.

Sipas denoncimit të UGSH, kolegët janë bërë shënjestër e sulmeve verbale, fyerjeve dhe, ç’është më e rënda, kërcënimeve të rrezikshme nga media online të identifikuara si “të angazhuara fetarisht”. Këto platforma akuzohen se po nxisin ekstremistë dhe militantë fanatikë për të sulmuar reporterët, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie.

Unioni thekson se lëvizja e lirë dhe mëvetësia në raportim janë të drejta themelore të gazetarëve, duke vlerësuar korrektesën profesionale të treguar nga reporterët gjatë vizitës. Përballë këtij “agresiviteti të militantëve”, UGSH u ka bërë thirrje urgjente institucioneve të sigurisë dhe ligjit që të monitorojnë situatën dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore si autorët e kërcënimeve, ashtu edhe urdhërdhënësit e tyre, për të ndalur këtë fushatë stigmatizuese.

Avatar photo
Albin Hoxha
8 December, 11:01 | Përditësimi: 8 December, 11:01