Konflikti mes manjatit të teknologjisë Elon Musk dhe Bashkimit Evropian ka arritur kulmin pas vendosjes së një gjobë të majme ndaj platformës X. Përmes një serie postimesh agresive, Musk e ka cilësuar strukturën e BE-së jo si një demokraci (pushteti i popullit), por si një “burokraci” të drejtuar nga burokratë të pazgjedhur. Ai shkoi edhe më tej me akuzat, duke mbështetur idenë se Brukseli po kthehet në një kërcënim ekzistencial për lirinë dhe sovranitetin, e duke deklaruar se “shumë politikanë në Evropë janë tradhtarë të popullit të tyre”.
Ky reagim i ashpër vjen pas masës ndëshkimore prej 120 milionë eurosh që Komisioni Evropian vendosi të enjten ndaj kompanisë X, bazuar në Ligjin për Shërbimet Dixhitale (DSA). Brukseli argumentoi se platforma ka shkelur rregullat e transparencës, veçanërisht duke e kthyer shenjën blu të verifikimit nga një mjet sigurie në një opsion me pagesë që mund të mashtrojë përdoruesit.
Lufta nuk ka mbetur vetëm në nivel deklaratash. Nikita Bier, drejtor i produkteve në X, njoftoi se kompania i ka bllokuar Komisionit Evropian qasjen në panelin e reklamave. Bier akuzoi Komisionin se kishte tentuar të manipulonte algoritmin e platformës, duke promovuar postimin mbi gjobën përmes një metode që e maskonte linkun si video për të rritur artificialisht shikueshmërinë, veprim ky që çoi në çaktivizimin e llogarisë së tyre të reklamave.
